Koha fluturon. Faktikisht bëhen gati 20 vjetë që kur desha të risistemoj rrugën me të cilën ne përdorim informacionin, rrugën sipas së cilës ne punojmë tok -- që kur shpika World Wide Web-in. Sot, pas 20 vjetësh, në TED, dëshiroj të lyp ndihmën tuaj për një risistemim të ri. Pra, duke iu kthyer 1989-s, shkrojta një memo ku rekomandoja sistemin global të hiperteksteve. Askush nuk bëri gjë me të, pak a shumë. Por, 18 muaj më vonë -- kështu e kanë risitë -- shefi im më thotë se mund të merresha me të jashtë programit, si një lloj projekti zbavitës, sa për të vënë në provë një kompjuter të ri që morëm. E kështu më la kohë që të programoja. E kështu, sajova se si do të dukej HTML-ja pak a shumë: protokollin për hipertekste, HTTP-në idenë e URL-ve -- emrat e gjërave që fillonin me HTTP. Shkrova kodin dhe e botova. Pse e bëra? Në thelb, nga zhgënjimi. Më ishin ngritur nervat -- punoja si inxhinier software-esh në këtë laborator të stërmadh, shumë tërheqës, me plot njerëz të ardhur nga krejt bota. Që kishin prurë me vete lloj-lloj kompjuterash të ndryshëm. Që kishin lloj-lloj formatesh të ndryshëm të dhënash. Lloj-lloj formatesh, lloj-lloj sistemesh për dokumente. Kështu pra, në gjithë atë larmi, po të më duhej të konceptoja se si të krijoja diçka nga copa prej njërës dhe copa prej tjetrës, gjithçka që vëzhgoja, lypte të lidhesha me një makinë të re, më duhej të xhiroja një program të ri, dhe informacionin që kërkoja do ta gjeja nën një format të ri të dhënash. Dhe krejt këto ishin të papërputhshme. Të ngrinte vërtet nervat. Gjithë ai potencial i bllokuar. Në fakt, në krejt këto disqe kish dokumente. Ndaj po t'i mendonit krejt ato si pjesë të një sistemi të madh virtual dokumentimi në qiell të hapët, le të themi në Internet, jeta do të ishte shumë e lehtë. E pra, pasi të vjen një ide si kjo, të ha përbrenda dhe, edhe pse bota nuk e lexon shënimin tuaj -- në fakt e lexoi, këtë e mësuam pasi vdiq, kopjen e tij. Kish shënuar me laps në qoshe, "E turbullt, por nxitëse". (Të qeshura) Në përgjithësi qe e vështirë -- qe vërtet e zorshme të shpjegoje se ç'ishte web-i. Është vështirë t'ua shpjegosh njerëzve sot që qe e vështirë atëherë. OK, kur filloi TED-i, por deri atëherë nuk kish web ndaj gjërat si klikimi nuk kishin të njëjtin kuptim. Mund t'i tregoj dikujt një copë hiperteksti, një faqe që përmban lidhje, dhe klikojmë mbi lidhjen dhe buuum -- do të dalë një tjetër faqe hipertekst. Jo kushedi çë. Dihet që këtë e kishim parë -- hiperteksti përdorej në CD-ROM-e. Vështirësia qe t'i bëje ata ta përfytyronin: pra, përfytyroni që lidhja mund të shpinte praktikisht te çfarëdo dokumenti që mund të sillnit në mendje. Ky qe pra hopi që qe shumë i vështirë për t'u bërë nga njerëzit. Por ja që disa ia dolën. Po, qe e vështirë të shpjegohej, por lindi një lëvizje në bazë. Dhe kjo qe çka e bëri më tepër zbavitëse. Kjo qe gjëja më ngazëlluese, jo teknologjia, jo ç'bënë njerëzit me të, por vetë bashkësia, fryma e krejt këtyre njerëzve që u bënë tok, përmes email-esh. Kështu qe atëherë. E dini çfarë? Qe zbavitëse, por kështu është sërish pikërisht tani, pak a shumë. I kërkova gjithkujt, pak a shumë, të vinin nën këtë gjë dokumentet e tyre -- U thashë, "A mund t'i vendosni dokumentet tuaj në këtë gjënë e rrjetit?" Dhe ashtu bëtë. Faleminderit. Qe kënaqësi, apo jo? Dua të them që qe goxha interesante ngaqë pamë se gjërat që ndodhin me rrjetin na lanë vërtet pa frymë. Na doli shumë më thellë se sa mund ta përfytyronin në fillim kur sajuam site-in e vockël web fillestar me të cilin ia filluam. Tani dua që të vendosni të dhënat tuaja në web. Del se ka ende një potencial të stërmadh të bllokuar. Të ngre nervat fakti që ende nuk kemi të dhëna në web si të dhëna. Ç'doni të thoni me të dhëna? Ku është ndryshimi -- dokumente, të dhëna? Dokumentet i lexoni, kështu? Pak a shumë, i lexoni, mund të ndiqni lidhjet në to, dhe kaq është. Të dhënat -- me një kompjuter mund të bëni gjithë llojet e gjërave. Kush ka qenë këtu ose e ka parë fjalën e Hans Rosling-ut? Një nga më të mirët -- po, e kanë parë plot vetë -- një nga fjalët më të mira në TED Talks. Hansi realizoi këtë paraqitje në të cilën tregonte, për vende të ndryshme, me ngjyra të ndryshme -- në njërin bosht tregonte shkallët e të ardhurave dhe në tjetrin vdekshmërinë foshnjore, dhe kjo në progres kohor. Pra, ai i mori këto të dhëna dhe krijoi një paraqitje që shkundi mjaft mite që kanë njerëzit mbi anët ekonomike në vendet në zhvillim. Krijoi një diapozitiv paksa si ky. Që i kish nën të krejt të dhënat OK, të dhënat janë ngjyrë kafe, në kutiza, dhe të mërzitshme, kështu i mendojmë të dhënat, apo jo? Ngaqë të dhënat nuk mund t'i përdorni në vetvete Por në fakt, të dhënat drejtojnë një pjesë shumë të madhe nga çka ngjet në jetën tonë dhe kjo ndodh ngaqë dikush i merr këto të dhëna dhe bën diçka me to. Në rastin tonë, Hansi grumbulloi të dhëna që i pat gjetur prej krejt llojeve të site-eve web të Kombeve të Bashkuara. I grumbulloi, i ndërthuri në diçka më interesante se sa copat origjinale dhe ia furnizoi këtij programi, që mendoj se e ka krijuar i biri, fillimisht, dhe prodhoi këtë paraqitje të mrekullueshme. Dhe Hansi nënvizoi një ide duke thënë, "Dëgjoni, pasja e shumë të dhënave është vërtet shumë e rëndësishme." Dhe u gëzova kur e pashë në mbrëmjen e djeshme duke thënë, me forcë, "Pasja e shumë të dhënave është vërtet shumë e rëndësishme." Kështu që dua ta shpini mendjen jo thjesht te dy copa të dhënash të lidhura mes tyre, apo gjashtë siç bëri ai, por të mendoni mbi një botë ku gjithkush ka vënë të dhëna në web që kështu, praktikisht gjithçka që mund të përfytyroni, të gjendet në web. Dhe t'i quani këto mandej të dhëna të lidhura. Teknologjia është të dhëna të lidhura, dhe kjo është tejet e thjeshtë. Nëse doni të vendosni diçka në web ka tre rregulla: gjëja e parë janë ata emrat me HTTP -- ato gjërat që fillojnë me "http:" -- i përdorim jo më thjesht për dokumente, i përdorim për gjërat mbi të cilat flasin dokumentet. I përdorim për njerëz, i përdorim për vende, i përdorim për produktet tuaja, i përdorim për veprimtari. Krejt gjërat e konceptueshme kanë tani emra që fillojnë me HTTP. Rregulli i dytë, po qe se marr një nga këta emra HTTP dhe kërkoj rreth tij pra përdor rrjetin për të, duke prurë të dhëna përmes përdorimit të protokollit HTTP në web, do të marr si përgjigje disa të dhëna në një format standard që janë pak a shumë të dobishme, e që dikush mund të dojë të dijë rreth asaj gjëje, rreth asaj veprimtarie. Kush qe në veprimtari? Çfarëdo gjëje rreth atij personi, ku ka lindur, ç'gjëra i pëlqejnë. Pra rregulli i dytë është që siguroj të dhëna të rëndësishme. Rregulli i tretë është që kur i siguroj ato të dhëna s'bëhet fjalë për gjatësinë dhe peshën, apo se ku ka lindur dikush, aty ka marrëdhënie. Të dhënat përmbajnë marrëdhënie. Interesante, të dhënat përmbajnë marrëdhënie. Ky person ka lindur në Berlin, Berlini bie në Gjermani. Dhe kur ka marrëdhënie, kurdo që shprehet një marrëdhënie, gjësë tjetër që lidhet aty ka një nga këta emrat që fillojnë me HTTP. Kështu që mund të vazhdoj e të kërkoj për këtë gjënë. Pra kërkoj mbi një person -- mund të kërkoj për vendin ku ka lindur Mund të kërkoj për zonën ku gjendet, qytetin ku gjendet, popullsinë e tij, e me radhë. Pra mund të shfletoj rreth tij. Kjo është pra, vërtet. Kjo do me thënë të dhëna të lidhura. Para ca vitesh shkrova artikullin me titull "Të dhëna të Lidhura" dhe pak pas kësaj, zuri fill. Ideja e të dhënave të lidhura është që kemi shumë, kemi plot nga ato kutitë që kish Hansi, prej nga mbijnë plot, shumë, shumë fare gjëra. Jo thjesht krejt një grup bimësh të tjera. Jo thjesht një rrënjë që ushqen një bimë, por për secilën nga këto bimë, çfarëdo qoftë -- një paraqitje, një analizë, dikush kërkon rregullsira te të dhënat -- ulen e vëzhgojnë krejt të dhënat për t'i lidhur bashkë, Dhe gjëja vërtet e rëndësishme me të dhënat është që sa më shumë gjëra lidhni tok, aq më të fuqishme janë. Pra, të dhëna të lidhura. Memja zuri të përhapej. Dhe, pa humbur kohë, Chris Bizer i Freie Universitat-it në Berlin që qe ndër të parët në krijim gjërasht interesentea, vuri re se Wikipedia -- e njihni Wikipedia-n, enciklopedinë online me plot dokumente interesante brenda. Pra, në këto dokumente, ka katrorë të veckël, kutiza të vogla. Dhe në shumicën e këtyre kutizave me informacion, ka të dhëna. Kështu që ai shkroi një program për t'i marrë këto të dhëna nga Wikipedia, dhe për t'i vendosur në një grumbull të dhënash të lidhura në web, që e quajti dbpedia. Dbpedia në këtë paraqitje tregohet nga reja blu në mes dhe po të kërkoni lidhur me Berlinin, do të shihni që ka re të tjera me të dhëna të cilat edhe këto përmbajnë gjëra rreth Berlinit, dhe janë të lidhura tok. Pra po të merrni nga dbpedia të dhëna rreth Berlinit, do të përfundoni me marrjen edhe të këtyre të dhënave. Dhe më e bukura është që gjithë kjo ka filluar të rritet. Pra kemi sërish të bëjmë me gjëra masive nga baza, OK? Le të mendojmë pak mbi të dhënat. Të dhënat jepen në plot formate të ndryshëm Sillni në mend larminë e web-it. Është vërtet e rëndësishme që web-i ju lejon të vendosni në të gjithfarësoj të dhënash. Kështu ndodh edhe me të dhënat. Unë mund t'ju flas mbi lloj-lloj të dhënash. Mund të flasim mbi të dhëna qeveritare, të dhënat e ndërmarrjeve janë vërtet të rëndësishme, ka të dhëna shkencore, ka të dhëna personale, ka të dhëna mbi motin, ka të dhëna mbi veprimtari, ka të dhëna mbi biseda, ka lajme dhe lloj-lloj gjërash. Do të përmend vetëm pak prej tyre që të keni një ide mbi larminë e tyre, që të kuptoni edhe për ç'potencial të bllokuar flitet. Le të fillojmë me të dhënat qeveritare. Barack Obama tha në një fjalim, që ai -- të dhënat e qeverisë amerikane do të mund të kiheshin përmes Internetit në formate të përdorshëm. Dhe shpresoj që do t'i vendosin si të dhëna të lidhura. Kjo është e rëndësishme. Pse është e rëndësishme? Jo thjesht për tejdukshmëri, po, tejdukshmëria në qeverisje është e rëndësishme, por të dhënat -- këto janë të dhëna nga krejt ministritë qeveritare Mendoni se sa të dhëna ka mbi mënyrën se si jetohet në Amerikë. Faktikisht janë të dobishme. Kanë vlerë. Mund t'i përdor për shoqërinë time. Fëmijët mund t'i përdorin për detyrat e shtëpisë. Pra po flasim për ta bërë botën të funksionojë më mirë duke i bërë këto të dhëna të passhme. Në fakt po të jeni ju përgjegjësi -- nëse dini ca të dhëna në një ministri, shpesh do të shihni që këta njerëz, priren shumë të mos i japin ato -- Hansi e quan shtrëngim i bazave të të dhënave. E përqafoni bazën e të dhënave, nuk doni që t'ju ikë pa bërë një site të hijshëm web për të. Unë do të doja të sugjeroja që më mirë -- po, bëni një site web të bukur, kush jam unë që të them mos bëni site web të hijshëm? Bëni një site web të bukur, por së pari na jepni të dhënat e paprekura, duam të dhënat. Duam të dhënat të paprekura. OK, tani na duhet të kërkojmë për të dhënat bruto. Dhe do t'ju kërkoj që ta vini në zbatim këtë, OK? Thoni dot "bruto"? Salla: Bruto. Tim Berners-Lee: A thoni dot "të dhëna"? Salla: Të dhëna. TBL: A thoni dot "që sot"? Salla: Që sot! TBL: Bukur, "të dhëna bruto që sot"! Audience: Të dhëna bruto që sot! Ushtrohuni me këtë. Është e rëndësishme, sepse nuk ia keni idenë numrit të justifikimeve që sajojnë njerëzit për të mos u shqitur prej të dhënave të tyre dhe për të mos jua dhënë, edhe pse, si taksapagues, keni paguar për to. Dhe ndodh jo vetëm në Amerikë. Kështu është ngado. Dhe jo vetëm me qeveritë, sigurisht -- me ndërmarrjet po ashtu. Do të përmend edhe pak ide të tjera lidhur me të dhënat. Ja ku jemi në TED, dhe jemi gjithë kohës shumë të ndërgjegjshëm mbi sfidat e mëdha para shoqërisë njerëzore sot -- kurimi i kancerit, njohja e trurit për Alchajmerin, njohja e ekonomisë për ta bërë disi më të qëndrueshme, të kuptuarit se si funksionon bota. Njerëzit që do t'i zgjidhin këto -- shkencëtarët -- kanë në kokë ide gjysmë të formuara, përpiqen t'i komunikojnë ato përmes web-it. Por shumë nga gjendja e njohjes njerëzore në këtë çast gjendet në baza të dhënash, shpesh brenda kompjuterave të tyre, dhe në fakt, hëpërhë, jo e ndashme me të tjerët. Në fakt, do të prek thjesht vetëm në një zonë -- nëse vëreni Alchajmerin, për shembull, zbulim barnash -- ka një shumicë të tërë të dhënash të lidhura që sapo po dalin ngaqë shkencëtarët e kësaj fushe kuptuan që kjo është rrugë e bukur për t'i nxjerrë nga hambarët, pasi të dhënat për gjenomet i kishin në një bazë të dhënash në një ndërtesë, kurse të dhënat për proteinat gjetkë. Tashmë, po iu ngjiten fort atyre -- të dhënave të lidhura -- dhe sot mund të bëjnë atë lloj pyetje që ju ndoshta nuk do ta bënit, unë jo -- ata e bëjnë ama. Cilat proteina përfshihen në transmetim sinjalesh dhe që janë gjithashtu të lidhura me neuronet piramidale? Pra, e merrni këtë çikë dhe e hidhni në Google. Sigurisht, nuk ka në web faqe me përgjigje për këtë pyetje sepse këtë pyetje nuk e ka bërë dikush më parë. Shihni që është kërkuar 223000 herë -- pa përfundime që mund t'i përdorni. Kërkuat për të dhëna të lidhura -- të cilat tani po i mbledhin tok -- 32 herë, secila prej të cilave është një proteinë që ka këto veti dhe mund ta shihni. Aftësia për të qenë në gjendje të bëjë kësi pyetjesh, për një shkencëtar -- pyetje të cilat prekin disiplina të ndryshme -- është vërtet një transformim i thellë. Është shumë, shumë e rëndësishme. Shkencëtarët për çastin janë tërësisht të paqartë -- fuqia e të dhënave që janë grumbulluar nga të tjerë shkencëtarë është e bllokuar dhe na duhet ta zhbllokojmë, që kështu të mund të merremi me këto probleme të mëdha. Nëse vazhdoj me këtë avaz, do të mendoni që krejt të dhënat vijnë nga institucione të mëdha dhe ju nuk hyni gjëkundi këtu. Por kjo nuk është e vërtetë. Në fakt, të dhënat prekin jetën tonë. Ju thjesht -- hyni në site-in tuaj të lidhjeve shoqërore, në të parapëlqyerin tuaj, dhe thoni, "Ky është shok i imi." Bing! Marrëdhënie. Të dhëna. Thoni, "Kjo foto është për -- tregon këtë person. " Bing! Edhe kjo është e dhënë. Të dhëna, të dhëna, të dhëna. Çdo herë që bëni diçka në site-in tuaj të lidhjeve shoqërore, site-i i lidhjeve shoqërore i merr të dhënat dhe i përdor -- për një qëllim të ri -- dhe i përdor për t'ua bërë personave të tjerë qëndrimin në site më interesant. Por, kur shkoni te një tjetër site me të dhëna të lidhura -- dhe le të themi që ky tjetri merret me udhëtime, dhe thoni, "Dua ta dërgoj këtë foto te krejt presonat e atij grupi," nuk i kapërceni dot gardhet. The Economist shkroi një artikull mbi këtë, dhe mjaft vetë shkruan në blogje mbi të -- zhgënjim shumë i madh. Rruga për të shpërthyer hambarët është të kalohet në ndër-veprueshmëri mes site-ve të rrjeteve shoqërore. Na duhet ta bëjmë këtë me të dhënat e lidhura. Një lloj i fundit të dhënash mbi të cilat do të flas, ndoshta më ngazëlluesi. Para se të vija këtu, e kërkova vendin në OpenStreetMap OpenStreetMap është një hartë, por është edhe një Wiki. Zmadhoni këtu dhe ajo gjëja katrore është një teatër -- në të cilin gjendemi tani -- The Terrace Theater. Nuk kish emër për të. Ndaj mund të kaloja nën mënyrën përpunim, të përzgjidhja teatrin, të shtoja emrin në fund, dhe ta ruaja. Dhe tani nëse shkoni prapë te OpenStreetMap. org, dhe gjeni këtë vend, do të shihni se ka një emër për The Terrace Theater. Unë e bëra. Unë! Unë e bëra te harta. Sapo e bëra! Unë e vendosa atje. Ej, e dini çfarë? Nëse unë -- asaj harte rruge i duhet që gjithkush të bëjë copëzën e vet dhe krijon një burim të pabesueshëm sepse gjithkush tjetër bën pjesën e vet. Dhe kjo është ajo puna e të dhënave të lidhura. Bëhet fjalë për njerëzit që bëjnë secili pjesën e tyre për të prodhuar pakëz, dhe kjo përkthehet si lidhje. Kështu funksionojnë të dhënat e lidhura. Ju bëni pjesën tuaj. Gjithkush tjetër bën të vetën. Mund të mos keni vetë shumë të dhëna për t'i vendosur aty por dini se ku t'i kërkoni. Dhe e kemi praktikuar këtë. Pra, të dhëna të lidhura -- gjë e stërmadhe. Ju tregova vetëm një numër shumë të vogël gjërash Në çdo anë të jetës sonë ka të dhëna, në çdo anë të punës dhe të dëfrimit, dhe nuk bëhet fjalë thjesht për numrin e vendeve nga vijnë të dhënat, puna është te lidhja e tyre tok. Dhe kur i lidhni të dhënat me njëra-tjetrën, fitojnë fuqi në një mënyrë që nuk ndodh thjesht me web-in, me dokumentet. Prej kësaj vjen një fuqi vërtet e madhe. Pra, tani jemi në atë fazë kur na duhet ta kryejmë këtë -- ne që mendojmë se është ide e shkëlqyer. Dhe krejt njerëzit -- dhe mendoj se ka plot njerëz në TED që i bëjnë gjërat ngaqë -- edhe pse nuk ka kthim të menjëhershëm të investimit ngaqë do t'i duket dobia kur gjithkush tjetër të ketë bërë njësoj -- do ta bëjnë ngaqë janë ai lloj njeriu që i bën gjërat thjesht pse do të jenë të dobishme nëse gjithkush tjetër bën njësoj. OK, pra quhen të dhëna të lidhura. Dua t'i realizoni. Dua që t'i kërkoni. Dhe mendoj se është një ide që ia vlen të përhapet. Faleminderit. (Duartrokitje)